Me rastin e 24 majit, Ditës së Presidentit, ish-presidentët e Kosovës kanë zhvilluar disa aktivitet dhe kanë bërë thirrje për unitet të spektrit politik. Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ish-presidentët Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifete Jahjaga, kanë bërë homazhe te shtatorja e ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Me këtë rast, presidentja Osmani tha se ish-presidenti Rugova ishte arkitekt i shtetit të Kosovës, dhe siç theksoi ajo, “ai ndikoi në bashkimin e mbarë popullit”.
“Zgjedhjet e para presidenciale të 24 majit të vitit 1992, shënuan themelimin e institucioneve të para të Kosovës dhe ishin mesazh i qartë i qëllimeve të popullit për liri dhe pavarësi”, tha Osmani.
Edhe ish-presidentët e Kosovës kanë vlerësuar lartë figurën e Rugovës, duke thënë se “Rugova ishte ikonë e pamposhtur e të gjitha kohërave”.
Ish-presidentët thanë se Rugova e ka udhëhequr Kosovën në periudhën më të rëndë të Kosovë, në kohën kur rrezikohej edhe shfarosja.
Me këtë rast ish-presidentja, Atifete Jahjaga, ka bërë thirrje që spektri politik i Kosovës të jetë i bashkuar, sidomos për procese e çështje të rëndësishme.