Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përgëzuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Përmes një shkrimi në Twitter, Osmani bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që urgjentisht të zbatojë vendimin për liberalizimin e vizave për shqiptarët e Kosovës.
Ajo shtoi se përshpejtimi i procesit të zgjerimit për vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri.
“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për një hap më afër BE-së. Në këtë kohë përcaktuese, përshpejtimi i procesit të zgjerimit për vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri! Ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së që urgjentisht të zbatojnë vendimin e vonuar për lirimin e vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani.
Ndërkaq, hapja e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën vjen pasi më 16 korrik, Kuvendi maqedonas miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.
Sipas BE-së, kapitulli i parë me të cilin do të nisë procesi i negociatave është ai i të drejtave themelore të njeriut dhe më pas do të ketë kapituj për reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, liria e medias etj.
Po ashtu do të ketë kapituj dhe për lidhjet ekonomike dhe tregtare.
Ky proces do të ndiqet hap pas hapi nga Komisioni Europian dhe pritet të zgjasë disa vite./Telegrafi/