Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mori pjesë në akademinë verore “Quo vadis Europa?”, në Santander të Spanjës, organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Borel dhe Universiteti Ndërkombëtar Menendez Pelayo, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Një Evropë e bashkuar dhe e prosperuar në paqe mund të arrihet vetëm me një Ballkan Perëndimor (BP) të bashkuar dhe të prosperuar në paqe. Në këtë kuptim, ky është një rast i rrallë qartë i interesit të përbashkët si për BE ashtu edhe për BP. Politikisht, ekonomikisht, kulturalisht, madje edhe gjeografikisht jemi udhëtarë në të njëjtën anije”, tha Osmani në fjalën e tij, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Osmani iu referua theksimit të shtuar për rëndësinë e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se ekziston një konsensus mes vendeve të rajonit dhe vendeve anëtare të BE-së se kjo ende nuk është e mjaftueshme.
“20 vjet pas samitit në Selanik, neve na duhet urgjentisht një vizion afatmesëm për rajonin tonë brenda Unionit”, nënvizoi Osmani.
Ai theksoi se përcaktimi i një rruge të qartë për zgjerimet e ardhshme me vendet e Ballkanit Perëndimor, me 2030 si synim të përcaktuar, paraqet një interes të lartë të sigurisë për vetë BE-në.
“Në të njëjtën kohë, duke iu referuar nevojës për përfitime konkrete për qytetarët tanë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ai përshëndeti planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, të propozuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bazuar në konceptin tonë për “më shumë integrim përpara anëtarësimit në BE”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
“Deri në anëtarësimin e plotë në BE, ne kemi nevojë për një vizion të forcuar së bashku me hapa të besueshëm dhe realistë ndërkohë të shtyjmë përpara zhvillimin demokratik, të përmirësojmë mundësitë ekonomike dhe të inkurajojmë pajtimin në Ballkanin Perëndimor. Këto nënkuptojnë rritje të fondeve të para-anëtarësimit, akses progresiv në tregun e përbashkët, thellim të integrimit ekonomik rajonal, heqje të kuotave për produktet bujqësore dhe përfshirje të vendeve të rajonit në politikat tregtare dhe investuese të BE-së”, përfundoi Osmani.