OVL e UÇK-së ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës së thirrur nga PSD-ja kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova, në Kosovë.
Kryetari i saj, Faton Klinaku, tha se “shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se çfarë po ndodh me gjykimet politike në Hagë”.
“Roli i secilit gjykatës, e aq më pak roli i kryetares së një Gjykate (në këtë rast pseudogjykatës speciale), nuk është që të edukoi shoqërinë civile e mediat. Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se njerëzit mbahen pengje që dy vite në paraburgim atje;
Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se nuk po gjykohen krimet dhe masakrat e pushtuesit, por përkundrazi po përdoren shpifjet e tyre për ta gjykuar UÇK-në”, ka shkruar ai në Facebook.
Kujtojmë se kjo protestë është thirrur për të mërkurën e 21 shtatorit, në Gjilan, nga Partia Socialdemokrate të cilët thonë se “Trëndafilova s’ka çka lypë në Kosovë”.
“Kryetarja e Gjykatës Speciale Znj. Trendafilova po vjen në Kosovë për t’i bërë lustër e imazh Gjykatës Speciale. Takim të mbyllur në Gjilan, me njerëz të përzgjedhur. Nevoja për propagandë është e vërteta e kësaj Gjykate arbitrare e një etnike”, thuhet, ndër të tjera, në njoftimin për proteste.