Pas premtimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që paga minimale do të jetë 250 euro, OVL e UÇK-së ka kërkuar që të rriten edhe pensionet e veteranëve të luftës.
Këtë e ka kërkuar kryetari i OVL e UÇK-së, Faton Klinaku, derisa ka kritikuar partitë politike se veteranët po i shfrytëzojnë për populizëm.
“Është interesant se VV atëherë e ka kundërshtuar ligjin nr.05/L-141 e i cili nuk është në fuqi dhe sot flet në emër të tij. E ka kundërshtuar edhe AAK që tani po heshtë dhe gjatë qeverisjes nuk ka filluar kategorizimin. E kanë miratuar PDK dhe LDK por duhet ta sqarojnë opinionin se ato ndryshime nuk janë në fuqi dhe vlen ligji bazik”, ka shkruar ai në Facebook.
“Prandaj, partitë politike t’i lënë populizmat e tyre dhe mos t’i bëjnë çdo herë temë veteranët, të cilëve me ligjin 04/L – 261, që është i vetmi në fuqi, iu rritet pensioni krahas pagës minimale”, ka thënë tutje ai.
Sipas projektligjit të apostrofuar, “varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti për vitin e ardhshëm, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave me vendim të veçantë, mund të vendosë për lartësinë e shumës së pensionit të Veteranit Luftëtar të UÇK-së, cila nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë”.