Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës OVL e UÇK-së pas takimit me presidenten e vendit Vjosa Osmani kanë thënë se kanë kërkuar nga kjo e fundit që të mos e dekretojë Ligjin për pagën minimale, shkruan Fol Drejt.
Sipas Xhavit Jasharit, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, përfaqësuesit e OVL-UÇK-së do të mbajnë protesta, nëse është e nevojshme, për ta penguar punën e parlamentit.
“Qëndrimi i përbashkët i joni është që të mbajmë protestë të bllokojmë tutje punët e parlamentit. I thamë çfarë kishim për t’ thënë presidentes dhe i bëmë kërkesë që mos ta nënshkruaj një ligj të tillë i cili i diskriminon veteranët e luftës” – tha Jashari, duke shtuar se ai beson që në përputhje me ligjet për këto kategori, ka plotë shkelje të tjera.
Ai u shpreh se ish veteranët janë të vendosur për ta bllokuar punën e parlamentit, që të mos lejohet më tej të shkelet dinjiteti i kësaj kategorie.
Sipas Jasharit, po qe se Presidentja Osmani do ta nënshkruajë ligjin, ajo do t’i vendos vetes një notë të keqe.
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së Kryetarit të OVL – UÇK-së Faton Klinaku ka njoftuar se protesta kundër Ligjit për pagën minimale do të mbahet më 26 korrik./FolDrejt/