Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që më datë 5 maj të mbahet seanca e radhës. Kjo mbledhje e Kryesisë është mbajtur pa partitë opozitare.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë pas mbledhjes se është vendosur që seanca e re të mbahet më 5 maj, në ora 10:00.
“U mbajt mbledhja e radhës e kryesisë së Kuvendit në të cilën u vendos që seanca e re plenare të mbahet më 5 maj në ora 10:00. Në agjendën e re përveç agjendës së zakonshme do të kemi edhe votimin për dy kandidatë për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.
Përfaqësuesit e opozitës nuk po marrin pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që ka nisur të mbahet të enjten.
Në këtë mbledhje janë paraparë 8 pika të rendit të ditës. Në rend të ditës janë pikat e papërfunduara nga disa seanca plenare si dhe përgatitjet për seancë plenare të re të radhës.
Opozita po vazhdon t’i bojkotojë punët e Kuvendit për shkak të bllokimit për themelimin e komisionit hetimor për energjinë, të iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK)./eo/