Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar në Varshavë një takim me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Mass.
Në një postim në Facebook, Pacolli shkruan se ministri Mass ia ka konfirmuar se Gjermania do ta mbështesë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Lajm fantastik nga ministri i jashtëm gjerman, Mass. Në Varshavë, zhvillova një takim bilateral me ministrin e jashtëm gjerman Heiko Mass, i cili tashmë konfirmoi se Gjermania me të gjithë mekanizmat e saj mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. Partnerë si Gjermania kanë ndihmuar në çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, ndërsa sot na mbështesin në zhvillimin e vendit tonë”, ka shkruar ai.
Pacolli ka treguar se me ministrin e jashtëm gjerman kanë biseduar edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë.
“Gjermania si njëri ndër përkrahësit më të fuqishëm të Kosovës vazhdon mbështetjen e madhe për Kosovën. I inkurajuar jashtëzakonisht shumë me mbështetjen e madhe gjermane për, vazhdimin e dialogut me Serbinë, rëndësinë e këtyre bisedimeve dhe arritja e një marrëveshje në mes dy shteteve në afat sa më të shkurtër. Njoftova ministrin Mass për platformën e dialogut e cila ditë më parë u miratua në Kuvendin e Kosovës, dhe për gatishmërinë e palës kosovare për rifillim të dialogut. I shpreha edhe shqetësimet për kampanjën agresive dhe shpifëse të Serbisë rreth njohjeve të shtetit të Kosovës. Mass theksoi rëndësinë e takimit të datës 29 prill ku janë të ftuar të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor me ftesë të Angela Merkel dhe presidentit francez, Macron”, shkruan Pacolli.