Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se nuk e kupton se si diplomacia kosovare dhe krerët e shtetit nuk reagojnë në mbrojtje të figurës së Xhafer Devës, ish-politikanit të njohur shqiptar.
Pacolli thotë se Deva ishte bashkëpunëtori i SHBA-së në luftën kundër regjimit komunist në Shqipëri. Ai po ashtu shton se nuk ka asnjë fakt që Deva apo njësitet e tij kanë kryer krime ndaj komuniteteve tjera në trojet shqiptare, duke përfshirë komunitetin hebre.
Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, Xhafer Deva është padyshim një nga figurat e rëndësishme të çështjes kombëtare që meriton trajtim të drejtë për punën dhe veprën e tij. Në këtë moment kur hidhen dyshime për figurën e tij, vlerat e tij duhen mbrojtur duke pasqyruar realitetin”, shkruan Pacolli.
Nuk e kuptoj pse diplomacia kosovare dhe veçanërisht krerët e shtetit nuk e kundërshtojnë fushatën e eger serbe, plot gënjeshtra dhe të pavërteta për këtë veprimtar sublim te kombit.”, përfundoi Pacolli.
Politikani nga Mitrovica, Xhafer Deva, ka marrë vëmendje tash, gati 44 vjet pas vdekjes së tij. Pas gjithë kësaj kohe, Ministria e Kulturës në Kosovë ka marrë përsipër ta restaurojë shtëpinë e dikur ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, shkruan Gazeta Express.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar me shqetësim pas lajmit për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, duke treguar se ai kishte qenë bashkëpunëtor i nazistëve që e kryen Holokaustin, gjenocidin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nga ana tjetër, mbështetësit shqiptarë të aktivitetit të Xhafer Devës e lidhin rolin e tij kryesisht me formimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”. Xhafer Deva konsiderohet nga këta si themelues dhe kryetar i shquar i këtij formacioni ushtarak e qeverisës në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë.