Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas publikimit të pamjeve që tronditën vendin, ku e moshuara sulmohet fizikisht nga infermieret, në një shtëpi të pleqve në Pejë.
Pacolli tha se infermieret abuzuan më një nënë të moshuar, madje e një dëshmori.
“Ju që e goditni, ju që qeshni dhe ju që filmoni. Çfarë keni për të thënë tani? A e shihni që gjithçka në këtë botë kthehet si një bumerang. Keni krijuar lajme negativë në të gjithë vendin. Keni abuzuar me një nënë të moshuar. Madje e një dëshmori”, ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook.
Tutje Pacolli shprehu dëshirën që ta takojë viktimën e dhunës dhe ta dëgjojë se çfarë ka për të thënë ajo.
“Unë dëshiroj shumë ta takoj këtë grua dhe të dëgjoj çfarë ka për të thënë ajo. Por ju që keni shkaktuar këtë dhunë, shpresoj se do të keni mjaft kohë për të menduar për veprimin tuaj në qelinë tuaj”, përfundoi Pacolli.