Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka njoftuar për aktivitetet të cilat i zhvilloi Qeveria e Kosovës në javën e kaluar.
Përmes një njoftimi në profilin e tij në Facebook, Kryeziu foli më gjerësisht rreth siç i ka quajtur ai, top pesë ngjarjet me Qeverinë Kurti, përcjell Fol Drejt.
“Pesë nga ngjarjet kryesore të javës që lëmë pas:
U miratuan në Qeveri projektligji për Zyrtarë Publikë dhe ai për Paga në Sektorin Publik, dhe u proceduan për në Kuvend të Kosovës. Projektligji për Paga parashihet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Filloi subvencionimi i dyfishtë për ata që kursejnë energjinë elektrike. Për muajin shtator, kriterin për subvencion e kanë përmbushur 167,571 konsumatorë rezidencialë të energjisë elektrike.
Dy milionë euro për dy mijë bursa për studentë në fushat e STEM. Dyfishim në shumë të buxhetit. Dyfishim në numër të përfituesve. Edhe këtë vit po vazhdon mbështetja financiare për vajzat dhe gratë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës të arsimin e lartë.
U ndan 43 bursa për studentë të doktoratës që studiojnë në top 500 universitetet botërore. Studentët e përzgjedhur do të përfitojnë bursa në shumë prej 8,500 euro.
Për nder të 28 Nëntorit, në 110-vjetorin e Ditës së Flamurit, për herë të parë Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë mbajtën mbledhje të përbashkët”, u shpreh ai./FolDrejt/