Dhjetëra qindra protestues, kanë vijuar të protestojnë pranë objekteve të komunave në veri të vendit, ndërsa i kanë përsëritur kërkesat për tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe tërheqjen e forcave të policisë, shkruan Fol Drejt.
Aktualisht situata është e qetë. Protestuesit serbë janë parë madje duke vallëzuar e kënduar përballë forcave të KFOR-it, të cilët po i sigurojnë objektet e komunave.
Ditët e para të protestës ishin më të dhunshme. Tensionet u ngritën kur më 26 maj u provua funksionalizimi i objekteve komunale në veri, por grupet kriminale të udhëhequra nga Lista Serbe bënë thirrje për protestë.
Goran Rakiq nga Lista Serbe i pat kërkuar Aleksandër Vuçiqit ndërprerje të dialogut deri në tërheqjen e të gjitha forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Ua kujtojmë që, që nga 26 maji, pat ditë të përshkallëzimit të situatës. Grupe të serbëve lokalë u përleshën me KFOR-in dhe policinë, teksa tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale për të nisur mandatin e tyre.
Aktualisht bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), nëpërmjet të deleguarit të tyre special Gabriel Escobar, kanë kërkuar nga Qeveria Aktuale që të bëjë përpjekje për uljen e tensioneve, dhe sidomos, dorëzimin e draft statusit për Asociacionin, pikë kjo kyçe në procesin e bisedimeve./FolDrejt/