Palestina i bëri thirrje të hënën agjencisë kulturore të Kombeve të Bashkuara, UNESCO, që të ndërhyjë për të ndalur një projekt ndërtimi izraelit në zonën arkeologjike Sebastia në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
“Ne i bëjmë thirrje agjencisë së UNESCO-s që të parandalojë autoritetet okupuese (izraelite) që të krijojnë një projekt vendbanimi pranë fshatit Sebastia (në veri të qytetit Nablus)”, tha kryeministri Mohammad Shtayyeh gjatë një takimi të kabinetit.
Ai paralajmëroi se projekti izraelit i vendbanimeve do të shkaktojë dëme të mëdha në vendin historik pranë fshatit.
Kryetari i bashkisë së Sebastias, Mohammad Azem tha se projekti izraelit synon ta kthejë vendin arkeologjik në një park.
“Projekti përfshin ndërtimin e një rruge, kryerjen e punimeve të gërmimit dhe vendosjen e rrjeteve elektrike që do të ndryshojnë totalisht karakterin historik të zonës”, tha ai për Anadolu.
Vendi Sebastia është një vend i lashtë dhe historik që daton në epokën helenistike dhe romake.
Sipas gazetës Haaretz, qeveria izraelite miratoi një propozim për të investuar 29 milionë sikëla izraelitë (8 milionë dollarë) për të zhvilluar zonën e Sebastia për të lejuar më shumë kolonë të arrijnë në zonë dhe për të zvogëluar aksesin e palestinezëve atje. /FolDrejt/