Pandemia e koronavirusit ka ndikuar negativisht në strukturat ekonomike dhe sociale të vendeve arabe, tregoi një raport nga një think-tank turk.
Ndërsa pandemia ngadalësoi ekonominë dhe lëvizshmërinë në nivel global, ajo zvogëloi kërkesën për naftë dhe derivate të naftës, tha Qendra për Studime të Lindjes së Mesme (ORSAM) në Ankara.
Rënia e të hyrave nga nafta ka çuar në një ulje të të ardhurave të vendeve prodhuese të naftës të Gjirit dhe kombeve të tjera arabe, duke përfshirë Irakun, Algjerinë, Sudanin dhe Libinë.
Pandemia ka shkaktuar efekte më shkatërruese në vendet arabe të cilat tashmë përballeshin me vështirësi ekonomike shumë përpara shpërthimit të koronavirusit, kurse disa kishin probleme edhe në ofrimin e shërbimeve themelore për qytetarët e tyre.