Maqedonia e Veriut po regjistron vitin më të vështirë turistik për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ohri dhe Struga, dy qytetet e njohura për pushime verore, që shtrihen përgjatë Liqenit të Ohrit, ndodhen para kolapsit pasi objektet e hotelerisë dhe sektori i gastronomisë mbijetojnë nga turizmi. Deri nga mesi i muajit korrik ato nuk kanë mbushur as 10 për qind të kapaciteteve, shifër kjo që nuk mbahet mend të jetë shënuar ndonjëherë në këto dy qytete të njohura turistike.
Në vitin 2019 vetëm nga Holanda në Ohër dhe Strugë kanë qëndruar më shumë se 20 mijë turistë. Në vitin 2020, gjatë pandemisë, ky numër ka zbritur në rreth 2 mijë persona, ndërsa këtë vit numri i tyre është i papërfillshëm.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, në periudhën e para pandemisë apo në vitin 2019 numri i turistëve në muajt në muajt qershor dhe korrik sillej në 120 mijë përkatësisht në 180 mijë turistë. Në periudhën e njëjtë të vitit 2020, numri i turistëve të huaj ishte rreth 5 mijë në qershor dhe afër 32 mijë në korrik. Situatë e njëjtë pritet të jetë edhe në muajt qershor dhe korrik të këtij vit.