Pandemia, që ra papritur në gjithë botën e Shqipëri ka ndryshuar shumë plane, po ashtu dhe shumë tregues demografikë në vend.
Karantina që zgjati nga mesi i marsit deri nga fillimi i majit paralizoi tërësisht jetën në vend. Por dhe muajt në vijim nuk ishin më të njëjtë, me kujdesin e shtuar dhe lëvizjet e kufizuara.
Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i martesave është tkurrur ndjeshëm në 2020-n. Sipas statistikave që institucionet shqiptare raportojnë pranë Eurostat, vitin e kaluar u lidhën rreth 17.5 mijë akte martese në vend. Ky është numri më i ulët i martesave që raportohet të paktën që prej vitit 1990. Në krahasim me vitin e mëparshëm, celebrimet ranë me 22%.