Gjendja e rënduar socio-ekonomike e shumë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, ka nxitur që ata revoltën e tyre, për mosrealizimin e kërkesave, ta shprehin përmes protestave.
Sektori i hotelerisë, ai i gastronomisë, agjencitë turistike, muzikantët, artistët e pavarur, pronarët e objekteve për organizimin e ngjarjeve të ndryshme, madje edhe nxënësit e shkollave të mesme, kërkesat e tyre i kanë bërë publike përmes organizimit të protestave para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Mirjana Najçevska nga Instituti i Shkencave Humane, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbajtja e shumë protestave së fundmi, duke respektuar masat kundër pandemisë, paraqet vlerë të shtuar për zhvillimin e demokracisë. Megjithatë, ajo shton se qytetarët duhet të mendojnë edhe për forma të tjera për t’i bërë presion qeverisë, që të realizojë kërkesat e tyre.
“Te ne janë pak të zhvilluara grupet lobuese ose grupet kompetente, të cilat, përmes shtetëzimit të mekanizmave që i ofron sistemi i drejtësisë, do të mund të promovonin nevojat specifike të kategorive të ndryshme të qytetarëve. Ai elementi institucional sikur është margjinalizuar dhe gjithçka është koncentruar në organizmin e protestave në rrugë, që në fakt është arma e fundit që duhet të përdoret, sa i përket realizimit të të drejtave, kur nuk funksionojnë institucionet”, thotë Najçevska.
Ndërkaq, Ali Pajaziti, ligjërues i Sociologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë për REL se qeveria gjithmonë duhet të jetë e gatshme për rebelime të natyrave të ndryshme. Por, sipas tij, ekzekutivi duhet të gjejë mekanizma që të përmbushë kërkesat racionale të qytetarëve.