Papa Françesku vlerëson se forcat shtytëse të luftës në Ukrainë janë “interesat perandorake” të disa “perandorive” dhe jo vetëm të Rusisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke folur për televizionin italiano-zviceran RSI, në një intervistë që do të transmetohet të dielën, pjesët e së cilës u publikuan nga agjencia e lajmeve e Vatikanit të premten, Papa Françesku shprehu gatishmërinë për të takuar presidentin rus Vladimir Putin për të arritur paqe.
“Putini e di që jam në dispozicion. Por aty ka interesa perandorake, jo vetëm të perandorisë ruse, por edhe të perandorive tjera. Është tipike për perandoritë të vendosin kombet në rend të dytë”, tha ai.
Papa tha se industria e armëve është një nga përfituesit kryesorë të luftërave. Duke cituar një ekspert, ai u shpreh: “Nëse për një vit nuk do të prodhoheshin armë, do të zgjidhej problemi i urisë në botë. Ky është një treg. Bëhen luftëra, shiten armë të vjetra, testohen të reja”.
Papa Françesku, 86 vjeç, shënon 10 vjetorin e zgjedhjes së tij më 13 mars./FolDrejt/