Gjendja e luftës në Ukrahinë, ka ngjallur sërish indinjatën dhe reagimin e ashpër, nga Papa Françesku.
Sikurse bëjnë me dije mediet e huaja, kërcënimi për luftë në Ukrahinë i ka sjellë mjaft trishtim Papës, teksa ai u bën thirrje politikanëve “të vështrojnë thellë në ndërgjegjje, para Zotit”, më parë sesa të marrin vendime të nxituara.
SHBA dhe aleatët e saj kanë akuzuar Rusinë, se ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar, pasi dërgoi trupat ushtarake në rajonet separatiste në Lindje të Ukrahinës dhe njohu zyrtarisht, si republika të pavarura, rajonet e Donjeckit dhe Luhanskit.
Duke folur në dëgjesën e përjavshme që mbahet në Vatikan, Ati i Shenjtë i bëri thirrje liderëve, të distancohen nga çdo veprim që do të shkaktonte vuajtje të mëtejshme te të pafajshmit, teksa e shpalli ditën e mërkurë, si ditë lutjeje dhe agjërimi për Paqen.
“Ndiej shumë keqardhje, për përkeqësimin e situatës në Ukrahinë.
Edhe një herë, paqja që i përket të gjithëve po kërcënohet nga interesat politike.
Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë përgjegjësi politike, që të bëjnë një ekzaminim serioz të ndërgjegjes, para Zotit, i cili është një Zot i paqes dhe jo i luftës, Atë i të gjithëve, jo vetëm i disave dhe që kërkon nga ne, të jemi vëllezër e jo armiq”, – është shprehur, Papë Françesku.
Apeli nga Ati i Shenjtë, vjen pas tensioneve mes shteteve perëndimore dhe Rusisë, lidhur me njohjen e pavarësisë së Republikës Popullore të Donetskut dhe Republikës Popullore të Luganskut prej Moskës./FolDrejt/