Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit C.K., i cili dyshohet për vjedhje dhe kanosje të familjes së tij.
Më 18 janar, i pandehuri, në shtëpinë e tij në Prizren, ka shfrytëzuar mundësinë kur familjarët e tij s’kanë qenë aty dhe ka hyrë në dhomën e prindit të tij, duke ia marrë 100 euro. Të njëjtin veprim e ka bërë edhe të nesërmen, duke i marrë edhe 50 euro, të cilat më pas i harxhon në qytet, njofton Klan Kosova.
“I pandehuri, me qëllim të frikësimit, seriozisht i kanos personat tjerë, me fjalë se do t’u shkaktojë ndonjë të keqe të dëmtuarve – babait dhe vëllait të tij, në atë mënyrë që pasi të dëmtuarit kuptojnë që i pandehuri i ka marrë paratë e prindit pa njohurinë e tij, kur kthehet në shtëpi e pyesin të pandehurin se ku i ka harxhuar ato para, por i njëjti revoltohet dhe tenton ta sulmojë vëllanë e tij.
Por, aty ndërhyn prindi i tij dhe e ndalon, mirëpo i pandehuri vazhdon duke i kanosur të njëjtit me fjalët ‘nëse e thirrni policinë, kur të dal prej policisë, kam me ju vra, kam me ju zhdukë’, me çka te të dëmtuarit ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tyre”.
Gjykata, me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar.