Në krizën financiare e ushqimore që ka mbërthyer botën, Afrika ende vazhdon të mbetet ndër vendet e para që përballen me urinë dhe mungesën e zhvillimit infrastrukturor e modern që e kanë kontinentet e tjera.
Por, Afrika, që konsiderohet edhe si djepi i civilizimit njerëzor, ka më tepër për të ofruar se sa nga ajo që e njeh bota si vend i urisë e moszhvillimit, transmeton Fol Drejt.
Me një sipërfaqe gjigante prej 30.37 milionë km2, Afrika gëzon një hapësirë që e tejkalon hapësirën e bërë bashkë të kontinentit të Evropës, Kinës e SHBA-ve. E mbi këtë sipërfaqe gjigante, ndryshe prej Kinës që është e mbipopulluar, jetojnë 1.3 miliardë banorë, që do të thotë se Afrika është e nënpopulluar.
60% e kësaj sipërfaqeje konsiderohet tokë e punueshme, madje vetëm toka e punueshme e Republikës së Kongos është e aftë të ushqejë gjithë Afrikën. Krahas tokave bujqësore, Afrika ka një pasuri të dendur të lumenjve, Namibia në Afrikë njihet për bregdetin më të pasur të peshkimit në botë.
Afrika s’mbetet prapa as në pasuritë nëntokësore. Ajo zotëron pasuri të shumta të manganit, hekurit e drurit; posedon rezerva të naftës e gazit natyror, madje Afrika ka kapacitete ofrimi të 60% të rezervës globale të kobaltit që përdoret në prodhimin e baterive të makinave.
Afrika ka se çka t’i japë botës edhe në rrafshin kulturor. Pasuria e madhe dhe e larmishme kulturore në fushën e vallëzimit, muzikës, arkitekturës e skulpturës i jep këtij kontinenti një sharm të veçantë dhe shumë unik.
Në kontributin e madh që Afrika ka për botën hyn edhe kujdesi shëndetësor, sepse ky kontinent posedon rreth 30000 receta e barishte mjekësore.
Me gjithë këtë pasuri, Afrika ka shumë për t’i ofruar botës dhe të ardhmes njerëzore, mirëpo mbetet të shihet se kur do ta fitojë trajtimin e dinjitetshëm dhe vëmendjen e duhur nga bota./FolDrejt/