Europa është më afër luftës sesa ka qenë ndonjëherë në 30 vitet e fundit. Paralajmërimi erdhi nga ministri i Jashtëm i Polonisë, Zbigniew Rau, në ditën kur vendi i tij nisi udhëheqjen një vjeçare të organizatës më të madhe të sigurisë së rajonit.
“Duket se rreziku i një lufte në zonën e OSBE është më i madh sesa ka qenë ndonjëherë në 30 vitet e fundit”, tha ai.
Pa përmendur Rusinë, në adresimin e tij përballë përfaqësuesve të 57 vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, Rau foli për tensionet në Ukrainë, Gjeorgji, Armeni, Moldavi dhe të gjitha shtetet që kanë një konflikt aktiv të ngrirë, në të cilët Rusia mund të jetë njëra palë.
“Në këtë drejtim, ne duhet të fokusohemi në zgjidhje paqësore të një konflikti në dhe përreth Ukrainës në përputhje me marrëveshjen e Minskut dhe në respektim të plotë të sovranitetit, integritet territorial dhe unitetit të Ukrainës në kufijtë e saj të njohura ndërkombëtarisht”.
Gjithashtu Rau u shpreh i shqetësuar edhe për zhvillimet në Kazakistan, ku trupat ruse zbarkuan për disa ditë dhe ndihmuan në shtypjen e protestave dhe rivendosjen e qetësisë.