Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se duhet të merren masa të menjëhershme kundër urisë në Somali, përndryshe vendi mund të përballet me një krizë shëndetësore që nuk është parë kurrë më parë.
Duke folur në konferencën për media të Zyrës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë, përfaqësuesi i OBSH-së në Somali, Mamunur Rahman Malik analizoi situatën e fundit në Somali pas thatësirës dhe efekteve tronditëse të COVID-19, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai tha se 8 milionë njerëz janë të kequshqyer në vend sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP). “1.8 milionë fëmijë, gjysma e popullsisë së fëmijëve në vend, po përballen me kequshqyerje të rëndë. Nëse nuk merren masa urgjente gjysma e këtyre fëmijëve mund të vdesin”, tha Malik.
Duke nënvizuar se një në çdo 10 fëmijë në vend ka sëmundje të parandalueshme si fruthi, diarreja dhe kolera, Malik tha se: “Një në çdo 7 fëmijë në Somali nuk mund të marrë vaksinat për të shpëtuar jetën”.
Sipas tij, OBSH-ja po bën çmos për të garantuar sigurinë shëndetësore në Somali. “Ne kemi ofruar pajisje shëndetësore për 45 për qind të njerëzve në nevojë deri më tani”, tha Malik.
Ai tha se po përpiqen të parandalojnë epidemitë si kolera që mund të lindin për shkak të thatësirës dhe pasigurisë ushqimore. “Nëse nuk veprojmë tani për të parandaluar urinë, Somalia mund të shkojë në prag të një krize shëndetësore që nuk është parë më parë”, thekson Malik./FolDrejt/