Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara (OKB), Linda Thomas-Greenfield paralajmëroi të hënën se çdo sulm ndaj NATO-s nga grupi rus “Wagner” do të trajtohet si sulm nga Rusia, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Thomas-Greenfield i bëri komentet ndërsa informoi gazetarët në New York për çështje të ndryshme, përfshirë luftimin e urisë, pasigurinë ushqimore në konflikte dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
E pyetur për praninë e mercenarëve të grupit “Wagner” në kufirin e Polonisë dhe nëse ajo i sheh ata si kërcënim real për NATO-n, ajo tha: “Sigurisht se shqetësohemi që ky grup, me urdhër të qeverisë ruse, sepse ata nuk veprojnë në mënyrë të pavarur nga Qeveria ruse, është kërcënim për të gjithë ne”.
Thomas-Greenfield theksoi se mesazhi duhet të jetë i qartë se “çdo sulm nga grupi ‘Wagner’ do të shihet si sulm nga qeveria ruse”. Duke vënë në dukje se Rusia ka thënë drejtpërdrejt se mund të sulmojë anijet civile që përdorin Detin e Zi, ambasadorja amerikane tha se këto nuk janë veprime që priten nga një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në fund të qershorit, shefi i “Wagner”-it, Yevgeny Prigozhin akuzoi ushtrinë ruse për sulmimin e luftëtarëve të grupit dhe shpalli një “Marshim të Drejtësisë”, duke thënë se forcat e tij ishin nisur drejt Moskës.
Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse e cilësoi veprimin e grupit si “një rebelim të armatosur” dhe hapi çështje penale kundër Prigozhinit ndërsa presidenti rus Vladimir Putin e quajti kryengritjen e kompanisë private ushtarake një akt tradhtie.
Prigozhin më vonë u kthye “për të shmangur gjakderdhjen” ndërsa marrëveshja me Putinin u negociua përmes presidentit bjellorus Alexander Lukashenko.
Para se t’i bashkohej “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë, “Wagner” ishte angazhuar prej kohësh në disa vende afrikane, përfshirë Republikën e Afrikës Qendrore dhe Malin.