Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla ka thënë se kanë informacione të sigurta se Serbia është duke i ftuar për mobilizim rezervistët serbë në Kosovë, që të jenë të gatshëm për një konflikt eventual.
Syla tha se Serbia këtë mobilizim po e bën për të krijuar një panik një situatë që mund të ndikojë në aspektin psikologjik.
“Kemi të dhëna të sigurta që janë ftuar serbët e Kosovës, që kanë shtetësi edhe të Serbisë, që të jenë të gatshëm që t’i përgjigjen thirrjes dhe të jetë i gatshëm për mobilizim”, tha Syla për RTV Dukagjini.
“Kemi shënime për individë me emër e mbiemër dhe adresë. Sepse ata individë në të kaluarën kanë qenë pjesë rezervë e forcave serbe. Tani ata i kanë të shënuar në listat e tyre, pavarësisht nëse ata tani jetojnë këtu, apo jashtë Kosovës”, tha ai, transmeton Telegrafi.
Syla tha se pikërisht për shkak të rrezikut që i kanoset Kosovës nga Serbia, është krijuar Fondi i Sigurisë.
“Ne jemi duke u përgatitur dhe duke pasur gjendjen në një mobilizim të plotë të gjithë mekanizmit të sigurisë”, tha ai.