Ukraina ka mbyllur zyrtarisht katër portet e saj në Detin e Zi dhe Azov, të cilat janë nën kontrollin e forcave ruse. Lajmi u konfirmua të hënën nga Ministria e Bujqësisë ukrainase.
Portet e Detit Azov të Mariupol, Berdiansk dhe Skadovsk dhe porti i Detit të Zi në Kherson u mbyllën “deri në rivendosjen e kontrollit”, thuhej në deklaratën e ministrisë, transmeton Fol Drejt.
“Marrja e kësaj mase është shkaktuar nga pamundësia e shërbimit të anijeve dhe pasagjerëve, kryerjes së ngarkesave, transportit dhe aktiviteteve të tjera ekonomike të lidhura me to, duke garantuar nivelin e duhur të sigurisë së lundrimit”, thuhet në njoftim.
Të gjitha portet detare të Ukrainës kanë pezulluar aktivitetin e tyre si pasojë e pushtimit rus në fund të shkurtit. Forcat ruse pushtuan disa porte dhe bllokuan disa të tjera.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të hënën se Ukraina mund të humbasë dhjetëra miliona tonë drithë për shkak të kontrollit të Rusisë mbi transportin detar në Detin e Zi, duke shkaktuar një krizë ushqimore që do të prekë Evropën, Azinë dhe Afrikën.
“Rusia nuk i lejon anijet të hyjnë apo të dalin, ajo po kontrollon Detin e Zi”, tha Zelenskiy për programin australian të lajmeve 60 Minutes.
“Rusia dëshiron të bllokojë plotësisht ekonominë e vendit tonë.”
Rusia e quan ndërhyrjen e saj në Ukrainë një “operacion special” për të çarmatosur Ukrainën dhe për ta mbrojtur atë nga fashistët. Ukraina dhe Perëndimi thonë se akuzat fashiste janë të pabaza dhe se lufta është një akt agresioni i paprovokuar.
Ukraina, një prodhues i madh bujqësor, dikur eksportonte shumicën e mallrave të saj nga deti, por është detyruar të kalojë në eksport me tren nëpërmjet kufirit të saj perëndimor ose nëpërmjet porteve të vogla të lumit Danub./FolDrejt/