Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media ka njoftuar se ka parandaluar një rast kontrabandimi në veri të vendit, shkruan Fol Drejt.
Me qëllim të realizimit të detyrave të saj, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NjNSh) e Drejtorisë Rajonale të Kufirit-Veriu, ka shtuar aktivitetet në parandalim të veprimtarive penale në përgjithësi dhe kontrabandës në veçanti.
Më 24 shkurt 2023 rreth orës 03:00, njësitë policore të NjNSh-së, derisa ishin në vëzhgim dhe kontrollim të terrenin në brezin kufitar – Jarinje e Poshtme, kanë vërejtur lëvizje (drita të automjetit) të dyshimta në atë zonë.
Policia menjëherë ka organizuar një plan taktik me qëllim të ndaljes së atij automjeti. Kështu, në malet e fshatit Bistricë, ka arritur të ndalojë pesë persona të cilët dyshohet se kishin hyrë në territorin e vendit përmes rrugëve ilegale. Ata janë hasur duke tentuar të fusin në vendin tonë një automjet, të ngarkuar në një rimorkio, duke i ikur obligimeve doganore.
Rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale Kufitare Veriu në koordinim me organet e drejtësisë dhe doganën./FolDrejt/