Policia e Kosovës ka parandaluar një rast kontrabandimi me migrantë, ku edhe kanë arrestuar një shtetas të Serbisë, transmeton Fol Drejt.
“Me datën 16.05.2023, rreth orës 11:00, në stacionin policor kufitar (SPK) në Vermicë, nga Republika e Shqipërisë për në Republikën e Kosovës ka hyrë kamioni me targa të huaja të cilin e drejtonte shtetasi serb me iniciale (S.H.), viti i lindjes 1980.”, shkruan në komunikatën e policisë në Facebook.
Policia njoftoi se gjatë procesit të regjistrimit dhe kontrollit të hollësishëm të kamionit në vijën e dytë, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë hasur në rimorkio në brendësi, katër (4) persona shtetas të huaj.
“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, personat shtetas të huaj janë trajtuar sipas ligjit për të huajt, ndërsa personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë për procedurë të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në menaxhimin dhe kontrollin efikas të kufirit shtetëror dhe parandalimin e veprave penale dhe kontrabandës në përgjithësi.”, thuhet në vazhdim të njoftimit. /FolDrejt/