L’Equipe njoftoi në një nga publikimet e saj të fundit, se bordi drejtues i PSG-së që në këtë verë planifikon të largojë emra si Mauro Icardi, Angel Di Maria dhe Leandro Paredes, tre nga katër argjentinasit që ka në skuadër.
Në këtë mënyrë, Lionel Messi do të ishte i vetmi përfaqësues argjentinas në klub, kontrata e të cilit skadon në qershor të vitit 2023.
Pra, më i miri në botë, do të jetë sezonin e tij të fundit pa bashkëkombës, element ky që ishte vendimtar për kohën kur “La Pulga” u bë pjesë e kastit francez, shkruan Telegrafi, transmeton FolDrejt.
Di Maria tashmë është në kërkim të një klubi
I pari që me siguri duhet të kërkojë një klub është Di Maria. Kontrata e tij skadon qershorin e ardhshëm, por klubi nuk do të rinovojë me të dhe për këtë arsye aventura e tij parisiene do të marrë fund. Mbetet për t’u parë nëse lojtari nga Rosario do të dëshirojë të qëndrojë në Evropë, apo do të rikthehet në Central, klubi nga i cili doli, edhe pse duket mjaft e pamundur.
Paredes dhe Icardi dalin në treg
Lidhur me Leo Paredes dhe Mauro Icardi, synimi i klubit është t’i shesë ata. Të dy kanë paga të larta dhe nuk përshtaten me projektin e ardhshëm sportiv, pavarësisht se kanë një kontratë. Paredes ka një marrëveshje deri në qershor 2023, ndërsa Icardi deri në qershor 2024, kështu që ata gjithashtu mund të huazohen nëse nuk shiten.
Mbappe te Madridi dhe Neymar…
Largimeve të Paredes, Icardi dhe Di María, duhet t’i shtojmë edhe largimin e pashmangshëm të Mbappe për te Real Madrid gjatë afatit të verës. Nga ana tjetër klubi po mendon se çfarë të bëjë me Neymar. Objektivi ishte shitja, pasi cikli i tij ka përfunduar dhe rekordi është shumë i lartë. Por planet mund të ndryshojnë nëse te PSG lirohet hapësira me largimin e argjentinasve. /Telegrafi/