Së shpejti dhjetëra-mijëra zviceranë me origjinë shqiptare do marrin rrugën për në jug, për të kaluar pushimet në vendet e origjinës. Kjo lidhet ngushtë edhe me dërgimin e parave nga diaspora shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore. Rreth dy miliardë franga në vit dërgohen nga Zvicra në Kosovë. Kjo është vërtetuar edhe nga ministri i ekonomisë në Kosovë, Valdrin Luka për median helvete NZZ.
Por Luka thotë se “remitencat bëjnë njerëzit dembelë”, pasi paratë e dërguara nga të afërmit, shpesh nxisin mospunësimin. Shtuar këtu faktin, që në vend këto remitenca të investohet ata thjesht përdoren për konsum të përditshëm. Me fjalë tjera, paratë e dërguara në Kosovë, menjëherë nxiren jashtë – për shkak edhe të deficitit në raportin mes eksporteve dhe importeve në Kosovë.
Sektori që vërtet fiton nga remitencat është ndërtimi, thotë më tej Luka, përcjell foldrejt.com. Megjithatë, edhe lokalet e restorantet janë deng të mbushura, përkundër që papunësia është rreth 31 përqind./Foldrejt.com