Një hap i madh drejt mbrojtjes së titullit u hodh nga PSG me fitoren 3:1 në shtëpi kundër Lensit të vendit të dytë në raundin e 31-të të ligës franceze.
Në minutën e 19-të Lens mbeti me një lojtar më pak pasi Abdul Samed mori karton të kuq direkt. PSG-ja e shfrytëzoi këtë dhe tashmë në pjesën e parë, me golat e Mbappes, Vitinhas dhe Messit, zgjidhi çështjen e fituesit. Në fund të lojës, Lens arriti të zbusë humbjen vetëm me një penallti të shënuar nga ana e Frankowskit. PSG tani është nëntë pikë më shumë se Lensi dhe 11 pikë dhe një lojë më shumë se Marseille e vendit të tretë, transmeton Fol Drejt. Kurse, Real Madridi ka mposhtur 2:0 Cadizin në udhëtim në xhiron e 29-të të La Ligës spanjolle. Mysafirët sulmuan që në fillim por rezultati mbeti 0:0 deri në minutën e 72-të. Rodrygo dhe Benzema humbën disa goditje dhe Reali kaloi në avantazh me golin e Nacho Fernandezit me golin nga 20 metra. Ishte goli i parë i veteranit të Realit këtë sezon.
Cadiz pothuajse nuk kërcënoi fare portën e Realit dhe Marco Asensio shënoi një gol të bukur në minutën e 76-të. Reali me këtë fitore ka 10 pikë prapa liderit Barcelona. Të martën, skuadra e Carlo Ancelottit pret ndeshjen e kthimit ndaj Chelseat në Londër, në të cilën hyn me avantazh 2:0 nga ndeshja e parë, transmeton Fol Drejt.