Parisi është mbuluar nga mijëra tonë mbeturina për shkak të një greve të punonjësve të shërbimeve komunale, të cilët janë gjithashtu kundër reformës së pensioneve, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Është pezulluar tërësisht funksionimi i tre inceneratorëve të plehrave jashtë qytetit. Zyrtarët njoftuan se kamionët e komunës po drejtohen në vende të tjera për deponimin e mbeturinave.
Punonjësit e bashkisë u detyruan të merrnin plehrat që gjenden gjithashtu në rrugët e disa prej pjesëve më ekskluzive të qytetit. Problemi me plehrat nuk ekziston në pjesët e Parisit ku kompanitë private janë përgjegjëse për ruajtjen e higjienës publike.
Sipas sindikatës CGT, e cila është dukshëm e majtë, punonjësit e ndërmarrjeve dhe shoferët në industrinë e shërbimeve komunale aktualisht mund të dalin në pension në moshën 57 vjeç, por me reformën e sistemit të pensioneve, ata do të duhet të punojnë edhe për dy vjet. Ata pretendojnë se jetëgjatësia e punonjësve të shërbimeve është 12 deri në 17 vjet më e shkurtër se jetëgjatësia mesatare në Francë.
Qytetarët janë gjithnjë e më të pakënaqur nga pastërtia e rrugëve, ndër ta është edhe pastiçieri Romain Gaia, i cili tha se gjendja është e tmerrshme. Siç tha ai, aty ka edhe minj.
Presidenti francez Emmanuel Macron synon të reformojë sistemin e pensioneve, përkatësisht të lëvizë moshën e pensionit nga 62 në 64, gjë që është e papranueshme për shumë njerëz. Prej ditësh në të gjithë vendin po zhvillohen protesta të mëdha kundër reformës së paralajmëruar. /FolDrejt/