Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka votuar pro raportit për Kosovën, ku bëhet thirrje për heqjen e vizave për kosovarët.
43 eurodeputetë kanë votuar pro, 9 kundër dhe 5 kanë abstenuar , shkruan Telegrafi.
Në draftin e raportit që e kishte prezantuar më parë raportuesja për Kosovën në këtë trup, Viola von Cramon, është përsëritur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes.
Në tekstin e këtij dokumenti i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në dokument përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sikur edhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
Kosovës i bëhet ftesë të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse konstatohet se Kosova ka shënuar një përparim në këtë drejtim. /Telegrafi/