Antisemitizmi – përfshirë edhe “antisemitizmin e përditshëm” – është shkelje serioze, tha kreu i CSU, Söder. Krerët e Unionit CDU/CSU kërkojnë masa të rrepta kundër azilkërkuesve antisemitistë, deri në dëbimin nga vendi.
Udhëheqësi i partisë CSU, Markus Söder ka bërë thirrje për veprim më të ashpër kundër armiqësisë ndaj hebrenjve në Gjermani. “Në rastin e antisemitizmit, ne duhet të ndjekim vazhdimisht ata që kanë kryer vepra penale dhe duhet të përdorim të gjithë fuqinë e ligjit për dënimin e tyre”, tha kryeministri bavarez për gazetat e grupit mediatik Funke.
“Antisemitizmi i përditshëm” është gjithashtu një shkelje e rëndë. Söder e konsideron të domosdoshme edhe një “ide të ri-integrimit”. “Në fund të fundit duhet të jetë e qartë: Qoftë të krishterë, myslimanë, hebrenj, budistë, hinduistë apo ateistë – të gjithë duhet të ndjehen si qytetarë gjermanë dhe të jetojnë filozofinë e një shoqërie të lirë, demokratike”, tha Söder.
Asnjë mirëkuptim për ngjarjen në Hagen
Kryetari i CSU, Söder e kritikoi administratën e qytetit në Hagen me fjalë të qarta. Javën e kaluar ata kishin ulur një flamur të Izraelit, i cili u ngrit të njëjtën ditë. Administrata e qytetit e arsyetoi këtë me dëshirën për “de-eskalimin” e situatës dhe një “kërkesë urgjente nga policia”. “Unë jam i tronditur me zhvillimet në qytetin Hagen, ku është ulur flamuri izraelit nga frika e armiqësisë. Frika nuk është ndonjë opcion. Ata që tërhiqen nga antisemitizmi vetëm i forcojnë ata edhe më shumë.”