Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, ka folur për mos implementimin e plotë të kodit shtetërorë telefonik të Kosovës +383.
Gjatë një interviste për Telegrafin, ai ka treguar se kanë shtyrë implementimin e kodit për shkak të mos përgatitjes së operatorëve Vala dhe IPKO deri më 15 janar të vitit 2019.
“Me 31 tetor ka qenë data e fundit për largimin e kodeve të huaja në Republikën e Kosovës, kurse zbatimi i kodit +383 ka filluar shumë herët dhe janë bërë shumë hapa, por deri në këtë datë nuk është arritur nga operatorët e telefonisë mobil të plotësohen kushtet teknike. Ndërsa operatorët e telefonisë fikse, zbatimi i kodit është bërë më herët. Kodi telefonik +381 është larguar tërësisht, ndërsa largimi i kodeve telefonike +377 dhe +386 nuk është bërë. Operatorët e telefonisë mobile kanë kërkuar që ta shtyjmë afatin deri në fund të dhjetorit 2019, mirëpo ARKEP, ka vendosur që të mos jep afat shtesë për largimin e atyre kodeve”, tha Gashi.
Ai ka thënë së operatorët do të gjobitën nëse nuk janë gati për aplikimin e kodit telefonik +383.
“Tashmë ARKEP-i ka filluar me sanksionet ekonomike, përkatësisht vërejtja përfundimtare për operatorët që nëse nuk zbatohet kodi +383 deri më 15 janar 2019, atëherë do të merren masat e përcaktuara me ligj. Ne jemi të bindur se kemi dhënë kohë të mjaftueshme që deri 15 janar 2019 kanë hapësirë për korrigjim, përkatësisht për zbatim dhe nëse nuk zbatohet atëherë pason gjoba prej 10 mijë euro “, tha kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi.
Ai ka treguar se Telekomi i Kosovës ka mbetur mbrapa me investime sa i përket implementimit të kodit telefonik, kurse IPKO është më përpara me to.
“Operatorët telefonik ka probleme teknike, për shembull Telekomi i Kosovës, nuk i ka kryer disa investime teknike që janë shumë domethënëse krahasuar me përfitimet që i ka Kosova dhe si rezultat nuk janë kryer këto ndryshime dhe nuk ka arritur ta zbatojë kodin. Në anën tjetër, operatori IPKO i ka kryer këto investime, por ka kërkuar afat shtesë me qëllim që një pjesë e trafikut që kalon në kodin +386 të mos humbet si rezultat i ndryshimit të kodit”, u shpreh Gashi.
Implementimi i kodit +383 sipas tij, mund ta përmirësonte gjendjen e rënduar financiare në Telekomin e Kosovës.
“Zbatimi i kodit +383 nga Telekomi i Kosovës është në dobi të kompanisë pasi që t’i përfiton të hyrat drejtpërdrejt dhe ka rëndësi për momentin me të cilët gjendet kompania, pra do të ishte infuzion zbatimi i kodit për Telekomin. Në Telekomin e Kosovës ka vullnet që të zbatohet kodi, por gjendja e vështirë financiare ka pasur efektin e vet në këtë proces, megjithatë përfaqësuesit e Telekomit kanë qenë të informuar për procesin e zbatimit të kodit, prandaj çështja e kohës nuk duhet të jetë sfiduese për ata. Kemi vërejtur një qasje pozitive, sidomos kohëve të fundit, që në mënyrë që më të shpejtë të zbatohet kodi”, ka thënë kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshik Gashi.
Ai në këtë intervistë për Telegrafin ka folur edhe për zhvillimet në ARKEP, subvencionimin e Postës së Kosovës nga ana e Qeverisë si dhe heqjen e roamingut me Shqipërinë si dhe për procese e tjera.