Fabrika e aluminit – Uniprom mbylli të hënën 12 qelizat e mbetura në fabrikën e Elektrolizës, duke i dhënë fund prodhimit të aluminit primar në Mal të Zi pas 52 vitesh, duke lënë pa punë rreth 50 punëtorë.
Kompania “Uniprom”, e cila është pronare e KAP-it, ka konfirmuar se e kanë ndërprerë prodhimin në elektrolizë, por se “si gjithmonë do të kujdesen që punëtorët të mos pësojnë pasoja”, përcjell Fol Drejt.
“Dëmi do të përballet si më parë nga kompania, është i madh, por për shkak të sulmeve brutale ndaj kompanisë dhe pronarit, ne kemi nisur një iniciativë para Komunitetit Evropian të Energjisë për të hapur një hetim dhe për të vërtetuar faktet që i referohemi dhe të cilat ne pretendojmë se janë të vërteta dhe plotësisht të konfirmuara nga verifikuesit e autorizuar të Bashkimit Evropian. Qeveria mori në mënyrë të paligjshme kredite e emetimeve nga Uniprom dhe ia caktoi EPCG-së, në kundërshtim me direktivën e Bashkimit Evropian. Komuniteti Evropian i Energjisë tashmë ka nisur procedurën, dëmi matet në dhjetëra milionë euro dhe pasi të arrijë raporti i Bashkimit Evropian do të vazhdojmë me aktivitete të mëtejshme. Fabrikat tjera në KAP janë duke punuar pa probleme”, është bërë e ditur nga kjo kompani, e cila është pjesë e grupit të biznesit të biznesmenit Veselin Pejoviq./FolDrejt/