Prej ditës së sotme, Rajoni i Posaçëm Administrativ i Hong Kongut i ka dhënë fund detyrimit për mbajtjen e maskave sanitare në vende publike për shkak të pandemisë COVID-19.
Shefi Ekzekutiv i Hong Kongut, John Lee, në një deklaratë theksoi se jeta në qytet u kthye në normalitet me heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave dhe se prioritet në vitin e ri do të jetë rigjallërimi i ekonomisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Detyrimi për mbajtjen e maskave në vende publike, i prezantuar në qershor 2020 për shkak të pandemisë COVID-19, ishte një nga vendimet e fundit të mbetura të masave strikte të qeverisë kineze për parandalimin dhe kontrollin e pandemisë, të quajtura si strategjia e “zero rasteve”.
Pas vendimit, kërkesa për maskë në qytet u hoq pas 945 ditësh në zbatim.
Mediat e Hong Kongut raportuan se megjithëse tashmë nuk është e detyrueshme, shumica e banorëve të qytetit kanë vazhduar edhe sot të mbajnë maska në zona të hapura.
Administrata e Pekinit vendosi të lehtësojë masat e kontrollit të pandemisë në Kinën kontinentale në dhjetor 2022 dhe hapi kufijtë e saj me botën e jashtme nga 8 janari 2023.
Qeveria e Hong Kongut ndoqi gjithashtu qeverinë qendrore për të zbutur gradualisht masat.
Kërkesa për mbajtjen e maskave tashmë ishte hequr në Kinën kontinentale, me përjashtim të disa takimeve dhe ngjarjeve në ambiente të mbyllura, ndërsa vazhdonte në Hong Kong.
Shkelësit e këtij detyrimi mund të gjobiteshin deri në 5 mijë dollarë të Hong Kongut (rreth 640 dollarë)./FolDrejt/