Pas blerjes së sistemeve raketore dhe armatimit të ri nga Kina, si dhe sistemeve të mëhershme nga Rusia, nga ana e Serbisë, ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Mehaj përmes një shënimi në Facebook thotë se me këto veprime rikonfirmohet fuqishëm edhe njëherë sjellja destruktive, shumë e rrezikshme dhe anti-perëndimore e Serbisë.
Mehaj ka kërkuar reagim nga bashkësia ndërkombëtare, pasi sipas tij Serbia me këto veprime po minon paqen në Ballkan.
“Kërkojmë nga autoritetet e vendimmarrjes së NATO-s, BE-së dhe OKB-së, si dhe të gjitha instancat tjera të politikëbërjes pro-vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë të shqyrtojnë me seriozitetin maksimal këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë që ndikon seriozisht në minimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”.
Mehaj thotë se Kosova si një shtet i rreshtuar krah demokracive perëndimore, edhe ushtrinë do ta ndërtojë të tillë.
“FSK-në – Ushtri të fuqishme profesionale në mbrojtjen e vendit dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global”, ka shkruar ndër të tjera Mehaj.