Ngarkesa e parë e grurit nga Ukraina në Afrikë që nga fillimi i luftës është ankoruar në portin e Detit të Kuq në Xhibuti.
U deshën dy javë për të udhëtuar këtu nga Deti i Zi, shkruan BBC.
Xhibuti është një vend i vogël me një popullsi prej 900,000 banorësh, por ka një nga portet më të ngarkuara në kontinent.
Tani për tani, punëtorët kanë filluar të hipin në anije për të shkarkuar ngarkesën e saj të çmuar – dy vinça gjigantë janë pozicionuar për operacionin.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara do të duhet rreth një javë që gruri të futet në thasë dhe të dërgohet me rrugë për në Etiopi, ku 20 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë ushqimore.
Organizata ka paguar për këtë dërgesë sepse stoqet e saj për të mbështetur refugjatët dhe njerëzit e zhvendosur nga konflikti dhe thatësira kishin filluar të mbaronin.
Para luftës në Ukrainë, Programi siguronte tre të katërtat e ndihmës së saj ushqimore nga Ukraina dhe Rusia. /abcnews.al/