Kampanja e inicuar nga Durim Berisha për çështjen e lejimit të shamisë në institucionet shkollore, ka nxitur një mobilizim të besimtarëve muslimanë në tërë Kosovën, shkruan Fol Drejt.
Edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), duke iu drejtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI), si dhe kryeministrit Albin Kurti, ka kërkuar që të lejohet bartja e shamisë në shkolla.
“Është kërkesë e kamotshme e Kryesisë së BIK-ut, institucioneve të saj dhe besimtarëve myslimanë që të shfuqizohet, respektivisht të hiqet e tëra pika 1.13 e nenin 3, në Udhëzimin Administrativ 06/2014, ngase është diskriminuese, dhe si e tillë në disa raste ka pas tentime që duke u thirr në këtë udhëzim, respektivisht në këtë nen t’u mohohet e drejta e shkollimit nxënëseve që bartin mbulesën myslimane – shaminë”, thuhet tutje në komunikatën për media.
Kjo është komunikata e plotë:
Është kërkesë e kamotshme e Kryesisë së BIK-ut, institucioneve të saj dhe besimtarëve myslimanë që të shfuqizohet, respektivisht të hiqet e tëra pika 1.13 e nenin 3, në Udhëzimin Administrativ 06/2014, ngase është diskriminuese, dhe si e tillë në disa raste ka pas tentime që duke u thirr në këtë udhëzim, respektivisht në këtë nen t’u mohohet e drejta e shkollimit nxënëseve që bartin mbulesën myslimane – shaminë.
Kërkojmë nga organet kompetente, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, si dhe nga kryeministri z. Albin Kurti, që sa më parë ta anulojnë këtë vendim, që në vete është diskriminues ndaj qytetareve të Kosovës – fëmijëve tanë.
Mirëpo, kjo kërkesë e kamotshme e BIK-ut nuk duhet politizuar e as polarizuar, por duhet trajtuar me përgjegjësi e korrektësi maksimale.
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava