Ata kaluan në këmbë kufirin Ukrainë-Poloni.
Nënat i bartën të vegjlit e tyre në krahë. Vëllezërit e motrat më të mëdhenj ecnin së bashku me vendosmërinë e zymtë dhe të palëkundshme. Ishte nën zero dhe ata ishin të ngrirë, të uritur dhe krejtësisht të rraskapitur.
Midis tyre ishte Inna, 56 vjeç, vajza e saj Olena, 35 vjeç dhe mbesa e saj, Karolina, 8 vjeç, tre breza grash që ikën nga Kharkiv i bombarduar në Ukrainën lindore. Ata kishin qenë në rrugë kaq gjatë dhe pa gjumë, nuk e dinin më çfarë dite ishte, shkruan Independent, transmeton Fol Drejt.
Dita dhe nata tashmë ishin njësoj. U deshën disa minuta diskutim mes tyre për të kuptuar se ishin larguar nga shtëpia tre ditë më parë.
Ata u rreshtuan pas Aleksandra Melnyk, 35 vjeç, një mësuese nga Kievi, dhe djemtë e saj binjakë dhjetëvjeçarë, Andriy dhe Dmytro, të cilët ishin larguar nga qyteti të premten më 4 mars dhe kishin fjetur vetëm dy orë. Ajo foli me sfidë: “Ne do të kthehemi në shtëpi në Kiev pas fitores”.
Por, aty kishte gjithashtu frikë.
“Burri im qëndroi të luftojë, kurse prindërit e mi nuk mund të udhëtonin. Ata e nisën jetën e tyre me Luftën e Dytë Botërore dhe do ta përfundojnë kështu? Kurrë nuk do ta besoja se ne do ta merrnim trenin e evakuimit. Treni ishte për pushime. Ku tani? Kjo varet nga Zoti.”
Midis tyre, gjithashtu, ishte një grup prej nëntë personash – duke përfshirë tre mësues të shkollave fillore dhe fëmijët e tyre – të cilët ishin arratisur nga Korosten, në veriperëndim të Kievit, pasi edhe ai ishte nën bombardime të rënda.
Një nga mësueset, Tanya Bordiuk. i kishte pretenduar djalit të saj trevjeçar, Kirilit, se sirenat e sulmit ajror ishin “një lojë që do të thoshte se duhej të fshihej” – si një skenë nga filmi tragjikomik i holokaustit Jeta është e bukur. Por më në fund ajo nuk mund të pretendonte më.
Atyre u mori më shumë se 60 orë që ta kalojnë kufirin. Të gjitha grupet e grave dhe fëmijëve me të cilët foli grupi i Independent lanë pas burrat, baballarët dhe vëllezërit e tyre.
“Ata po luftojnë për Ukrainën, janë heronj”, tha Olena.
Ata nuk e kanë idenë nëse do t’i shohin apo jo përsëri anëtarët e familjes./Z.R.//FolDrejt/