Forcat ajrore të SHBA-së dhe Koresë së Jugut zhvilluan stërvitjet e tyre të para të kombinuara ajrore që përfshinin avionët luftarak stealth F-35A, ndërsa janë rritur tensionet në Gadishullin Korean, sipas mediave lokale.
Aeroplani amerikan F-35A mbërriti në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, javën e kaluar për t’iu bashkuar stërvitjeve në dislokimin e parë publik të avionëve luftarakë amerikanë në vend që nga viti 2017, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Forcat Ajrore të Koresë së Jugut në një deklaratë theksuan se rreth 30 avionë, duke përfshirë avionët F-35A, F-15K, KF-16 dhe FA-50 të Koresë së Jugut, së bashku me avionët F-16 dhe F-35A të SHBA-së iu bashkuan stërvitjes.
Sipas forcave ajrore, “stërvitjet kanë për qëllim të përmirësojnë aftësitë operacionale të kombinuara të të dy vendeve përmes trajnimit në jetën reale dhe për të forcuar ndërveprimin e gjeneratës së pestë F-35A”.
Stërvitjet katër-ditore filluan të hënën.
Pjesëmarrja më e fundit e avionëve amerikanë F-35A në një stërvitje të përbashkët me ushtrinë e Koresë së Jugut erdhi pas marrëveshjes midis presidentit amerikan, Joe Biden dhe homologut të tij koreano-jugor, Yoon Suk-yeol në maj, ndërsa Biden njoftoi se do të vendoste asetet strategjike ushtarake të Amerikës “në kohën e duhur dhe në mënyrë të koordinuar sipas nevojës”.
Vitin e kaluar, Koreja e Veriut dënoi ashpër stërvitjen e përbashkët ushtarake midis SHBA-së dhe Koresë së Jugut të mbajtur në mars 2021.
Tensionet në gadishull janë rritur nga viti 2020, kur Koreja e Veriut sulmoi dhe hodhi në erë zyrën e ndërlidhjes ndërkoreane përgjatë kufirit. Seuli paralajmëroi për një përgjigje të fortë nëse Pheniani “përkeqëson më tej situatën”.
Megjithatë, tensionet janë përshkallëzuar më tej në Gadishullin Korean në vitin 2021, kur Seuli dhe Pheniani kanë shtuar stërvitjet për të treguar fuqinë e tyre ushtarake.
Muajin e kaluar, SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia njoftuan planet për të forcuar lidhjet e sigurisë dhe ranë dakord të kundërshtojnë së bashku kërcënimet nga Koreja e Veriut nëse Pheniani kryen një tjetër test bërthamor.
SHBA-ja dhe Koreja e Jugut i kanë ofruar disa herë mundësinë për të biseduar Koresë së Veriut me qëllim të zbutjes paksa të tensioneve aktuale në Gadishullin Korean, por Koreja e Veriut nuk iu përgjigj ofertës.
Më 27 maj, Kina dhe Rusia vendosën veton ndaj sanksioneve të reja të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj Koresë së Veriut në hakmarrje për testet e vazhdueshme të saj të raketave balistike, të cilat ajo i kryen në kundërshtim me rezolutat e mëparshme të Këshillit./FolDrejt/