Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy i ka bërë thirrje Perëndimit të përshpejtojë dërgesat e armëve ndërsa trupat ukrainase kanë nisur kundërofensivën për të marrë zonën verilindore të pushtuara nga Rusia, sipas Reuters.
Që kur Moska braktisi bastionin e saj kryesor në Ukrainën verilindore të shtunën, duke shënuar humbjen e saj më të madhe që nga ditët e para të luftës, trupat ukrainase kanë rimarrë dhjetëra qytete.
Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan tha se Rusia ka braktisur territorin afër Kharkivit në verilindje dhe ka tërhequr shumë nga trupat e saj prapa kufirit. Uashingtoni dhe aleatët e tij i kanë ofruar Ukrainës miliarda dollarë armë që Kievi thotë se kanë ndihmuar në bllokimin e forcave ruse, raporton abcnews.al.
Në një fjalim të hënën, Zelenskiy tha se Ukraina dhe Perëndimi duhet “të forcojnë bashkëpunimin për të mposhtur rusët”. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se forcat ukrainase kanë bërë “përparim të rëndësishëm” me mbështetjen perëndimore.
“Ajo që ata kanë bërë është planifikuar në mënyrë shumë metodike dhe natyrisht kanë përfituar nga një mbështetje e konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera për t’u siguruar që Ukraina të ketë në duart e saj pajisjet që i nevojiten për të fituar këtë kundërofensivë,” tha Blinken gjatë një konferencë për shtyp në Mexico City.
Uashingtoni njoftoi programin e tij të fundit të armëve për Ukrainën javën e kaluar, duke përfshirë municionet për sistemet raketore HIMARS. Zelensky tha se Ukraina kishte rimarrë rreth 6,000 km katrorë territor, Toka e rimarrë është afërsisht e barabartë me zonën e kombinuar të Bregut Perëndimor dhe Gazës.
Rusia ka marrë kontrollin e rreth një të pestës së Ukrainës që kur trupat e saj pushtuan më 24 shkurt./abcnews.al/