Një takim i paparalajmëruar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe emisarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka filluar.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kjo ka qenë arsyeja përse Kurti ka lëshuar sallën e Kuvendit.
“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë. Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend. Sot ishte vetëm seanca e parë e sesionit të ri të Kuvendit. Gatishmëria për të debatuar në Kuvend nuk ka munguar e as nuk do të mungojë asnjëherë”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Takimi me Lajçakun nuk ishte paralajmëruar për mediat.
Të premten, Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, qëndruan në Prishtinë dhe Beograd./21Media