Byroja Federale e Hetimeve të SHBA-së (FBI) thuhet se ka nisur një hetim për vrasjen e gazetares palestineze me shtetësi amerikane, Shireen Abu Akleh.
Sipas televizionit izraelit “Channel 14”, Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së informoi Ministrinë e Drejtësisë së Izraelit se FBI ka nisur një hetim për vdekjen e gazetares të Al Jazeera-s, Abu Akleh e cila u vra më 11 maj në Bregun Perëndimor të pushtuar, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në fund të procesit u tha se SHBA-ja mund të bënte një kërkesë për të hetuar ushtarët izraelitë të përfshirë në incident.
Vendimi i SHBA-së erdhi pasi më shumë se 20 senatorë amerikanë nënshkruan një letër të përbashkët duke kërkuar një hetim të pavarur të FBI-së.
Duke përshëndetur vendimin, senatori demokrat amerikan Chris Van Hollen në Twitter tha: “Ky është një hap i vonuar, por i domosdoshëm dhe i rëndësishëm në ndjekjen e drejtësisë dhe përgjegjësisë për vrasjen me armë zjarri të shtetases dhe gazetares amerikane Shireen Abu Akleh”.
– Reagimi i Izraelit ndaj vendimit të SHBA-së
Ndaj vendimit të SHBA-së ka reaguar Izraeli. “Vendimi i Departamentit të Drejtësisë i SHBA-së për të hetuar vdekjen e Shireen Abu Akleh është një gabim serioz”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz në llogarinë e tij në Twitter.
Ai pretendon ushtria izraelite po kryen “hetim profesional dhe të pavarur, detajet e të cilit ndahen edhe me zyrtarët amerikanë”. “Unë ia kam bërë të qartë SHBA-së se ne nuk do të bashkëpunojmë me asnjë hetim të huaj dhe nuk do të lejojmë asnjë ndërhyrje në punët e brendshme të Izraelit”, tha Gantz.
– Vrasja e Shireen Ebu Akleh
Abu Akleh (51) e cila ishte gazetare e televizionit Al Jazeera u vra nga zjarri i ushtarëve izraelitë më 11 maj, derisa po ndiqte sulmin e forcave izraelite në një kamp refugjatësh në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor.
Gazetari Ali es-Sumudi, i cili ishte me Abu Akleh, gjithashtu u plagos në shpinë.
Vrasja e gazetares e Abu Akleh, teksa ishte duke kryer detyrën dhe teksa kishte veshur një jelek çeliku me mbishkrimin “PRESS”, u qëllua për vdekje nga ushtarët izraelitë me plumba të vërtetë.
Përfundimet e arritura nga hetimet e shumë institucioneve ndërkombëtare zbuluan se Abu Akleh ishte shënjestruar dhe vrarë nga ushtarët izraelitë.
Ushtria izraelite, e cila në mënyrë të përsëritur mohoi përgjegjësinë e saj për incidentin dhe mbajti përgjegjës grupet e armatosura palestineze, njoftoi në raportin e saj përfundimtar më 5 shtator, pas reagimeve ndërkombëtare, se ekzistonte një probabilitet i lartë që Abu Akleh të ishte vrarë nga zjarri i ushtrisë izraelite gabimisht./FolDrejt/