Pas masakrës në dy xhami të Christchurchit, qeveria e Zelandës së Re ka mbështetur në parim ndryshimet në ligjin e armëve, propozim i bërë nga kryeministrja Jacinda Ardern.
Ardern u shpreh se detajet mbi reformën do të bëhen publike deri më 25 Mars.
“Kjo do të thotë se, 10 ditë pas këtij akti të tmerrshëm terrorist, neve do të na duhet të njoftojmë reformat, që besoj se do ta bëjnë më të sigurt komunitetin tonë. Kemi marrë një vendim si kabinet. Mbi këtë jemi të gjithë të bashkuar”, tha Ardern.
Kryeministrja gjithashtu është shprehur se kanë filluar hetimet për ngjarjen e rëndë, si dhe zbardhjen e të gjitha shkaqeve që çuan drejt saj.
Deri më tani raportohet se 50 besimtarë myslimanë mbetën të vrarë ndërsa 9 persona janë në spital në gjendje kritike për jetën. Sakaq mbi australianin Brenton Tarrant u ngrit akuza për vrasje me paramendim.
Policia bën të ditur se 28-vjeçari ka përdorur armë të tipit ushtarak për sulmin, të cilat për më tepër ishin modifikuar përpara ngjarjes me qëllimin që të bëheshin sa më vdekjeprurëse. Ai kishte licencë për armëmbajtje dhe këtë e ka marrë nëntorin e vitit 2017, ndërsa zotëronte 5 armë.