Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka aprovuar padinë e 44 kandidatëve për noterë të ushtruar ndaj Ministrisë së Drejtësisë.
Kjo pas anulimit që ky dikaster qeveritar i bëri konkusit për noterë.
Ish ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë që ky vendim e konfirmon legjitimitetin e këtij procesi, ndaj të cilit “patën hedhur baltë shumë akterë, që më së paku shqetësoheshin për integritetin e tij, e kryesisht për përfitimet e tyre elektorale e financiare në dëm të tij”.
“Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës në çështjen rreth procesit të provimit të Noterisë, konfirmon legjitimitetin e këtij procesi, ndaj të cilit patën hedhur baltë shumë akterë, që më së paku shqetësoheshin për integritetin e tij, e kryesisht për përfitimet e tyre elektorale e financiare në dëm të tij. Si pasojë e vonesës në rekrutimin e noterëve të rinj, 16 komuna të Republikës së Kosovës vazhdojnë të mbesin të pambuluara me shërbime të mirëfillta noteriale. Qytetarët e këtyre komunave, detyrohen për çdo ditë që të udhëtojnë për dhjetëra kilometra për të kryer shërbimet e tyre, për shkak të kontestimit të pavend të këtij procesi legjitim”.
Tahiri përmes një postimi në Facebook, tha që nga e gjithë kjo periudhë kohore është bllokuar procesi i rekrutimit të noterëve të rinj sipas formulës së ligjit 1 noter në 10 mijë banorë, kanë humbur qytetarët, ndërsa kanë përfituar monopolet.
“Kjo praktikë duhet të marrë fund. Jam krenar për punën që kemi bërë në Ministrinë e Drejtësisë dhe thellësisht i bindur se reformat që kemi ndërmarrë, do të lehtësojnë qasjen në shërbime më të shpejta, efikase e de burokratike për qytetarët e Kosovës”, tha tutje ai./FolDrejt/