Në një konferencë për media, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, tha se subjekti i tij nuk do të lejojë të shtrenjtohet çmimi i energjisë elektrike, shkruan Fol Drejt.
Për më shumë deputeti Kekaj tha se kërkesa e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shtrenjtim të tarifave për 14%, është absurde dhe se ky s’është veçse një lajm shokues për të gjithë qytetarët.
“Nëse ndodh kjo rritje qytetarin e vendos në varfëri të skajshme dhe në luftë për mbijetesë e ekzistencë. Mbi këto që thash ne si AAK jemi kategorik kundër kësaj rritjeje dhe nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Këtë do ta bëjmë me angazhimin tonë politik në Kuvend, në komisionet përkatëse dhe do të bisedojmë edhe me qytetarët që nëse e shohim të kemi edhe protesta sepse qytetarët tanë kanë mbetur të vetmuar dhe kjo qeveri vetëm e ka në mendim se si ta rëndojë jetën e qytetarëve dhe jo t’ua lehtësojë”, ka thënë Lekaj.
Nga ana tjetër ka pasur një deklarim edhe nga Shoqata “Konsumatori” Selatin Kaçaniku. Për Radio Kosovën ai ka thënë se qeveria nuk po merret me shkaktarin e problemit:
“Pushteti, si ky, si ai i legjislaturës së kaluar, asgjë nuk kanë bërë më shumë që këtë buxhet ta shndërrojnë në buxhet performues, ku qytetari nuk do të rrezikohej as nga ngritja e drejtpërdrejtë e çmimit, e këtë herë të çmimit të energjisë elektrike as nga ngritja indirekte siç është tani nëpërmjet bizneseve të cilat ato gjithsesi që do t’i kompensojnë duke i fryrë çmimet përfundimtare për qytetarë…”
E keqja është se ngritja e çmimit të energjisë, do të ndikojë edhe tek produktet e tjera, prandaj për rrjedhojë do t’i rëndojë edhe më tej shportat e qytetarëve./FolDrejt/