Pozita e opozita janë dakorduar për formimin e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare për Energjinë.
Lajmin e ka bërë të ditur në një konferencë për media shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
“Pra, jemi pajtuar për formimin e dy komisioneve hetimore parlamentare. Ne nuk jemi kundër asnjë hetimi që mund të zbardh të vërtetat për atë së çfarë ka ndodhur. Ajo që është e rëndësishme është që tash kemi darkordim për këtë çështje”, deklaroi Tahiri para gazetarëve.
Sipas tij, kjo gjë është dashur të ndodh shumë më herët dhe jo të krijohet gjithë ai tension.
Tahiri tutje shtoi se dy komisionet do të kenë agjendë dhe deputetë të ndryshëm, pra nuk interferojnë me njëra-tjetrën.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se shpreson që sjellja e papërgjegjshme ka marrë fund në mënyrë që Kuvendi të vazhdojë punën.
Ai bëri të ditur se Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë i iniciuar nga opozita do të udhëhiqet nga Driton Selmanaj i LDK-së.
“Ndërsa, për komisionin tjetër nuk e di. Pra, pritet pas pak që të votohet formimi i komisioneve hetimore dhe të vazhdojmë seancën në mënyrë të rregullt. Ne i kthemi normalitetit në Kuvend”, deklaroi Gashi. /Telegrafi/