Liderët e SHBA-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut zhvilluan një takim urgjent pas raketës balistike ndërkontinentale (ICBM) të lëshuar nga Koreja e Veriut.
Sipas një njoftimi të qeverisë japoneze, liderët u takuan në Bangkok, ku gjendeshin në kuadër të Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC), shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në mbledhjen urgjente morën pjesë kryeministri i Japonisë, Kishida Fumio, nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, dhe kryeministri i Koresë së Jugut, Han Duck Soo.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, në takim kanë marrë pjesë edhe kryeministrat e Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re.
Ndryshe, më herët, Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut njoftoi se Koreja e Veriut ka lëshuar një ICBM në drejtimin lindor në orën 10:18 të mëngjesit me kohën lokale.
Ministria japoneze e Mbrojtjes njoftoi se në orën 11:23 të mëngjesit me orën lokale, raketa supozohet të ketë rënë brenda zonës ekskluzive kombëtare japoneze.
Sipas njoftimit, raketa ka qëndruar në ajër për 69 minuta dhe ka udhëtuar rreth 1.000 kilometra.
Televizioni Publik Japonez NHK tha se administrata e Phenianit kreu testin e 34-të raketor këtë vit./FolDrejt/